SHBA, 15 mars 2014 – Mbetet e bllokuar situata në Ukrainë. Draftrezoluta e prezantuar në Këshillin e Sigurisë së OKB-së kundër referendumit në Krime nuk është miratuar si pasojë e vendosjes së vetos nga ana e Rusisë. Kina ka abstenuar, ndërsa 13 vende të tjera kanë votuar pro.

Ambasadorja amerikane në kombet e bashkuara, Samata Pauer deklaroi se ky është një moment i trishtuar dhe se Moska nuk mund të vendosë veto ndaj së vërtetës. Rusia ka ruajtur deri në fund qëndrimin e saj duke vendosur veton për rezolutën kundër referendumit në rajonin ukrainas të Krimesë të dielën, duke u bërë i vetmi vend anëtar i këshillit të sigurisë që voton kundër. Kina e cila shihet si  një aleate e Moskës në këtë cështje ka abstenuar.

Perëndimi ka kritikuar veton e Rusisë për referendumin që do të vendosë nëse Krimeja do të bashkohet me Rusinë duke u shkëputur nga Ukraina. Në Moskë me dhjetëra mijëra persona kanë manifestuar kundër veprimeve të Rusisë në Ukrainë, në protestën më të madhe në vend prej dy vitesh. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/