Qeveria braziliane ka lëshuar sot alarmin se vetëm 50% e biletave të Lojërave Olimpike “Rio 2016” janë shitur, ndërkohë që shifra duhej të ishte më e lartë. 

Ndërkohë që Lojërat do të nisin pas 5 muajsh dhe koha e mbetur në dispozicion është e pakët dhe trendi nuk duket aspak në përmirësim. Sikur të mos mjaftonte skandali me virusin “zika”, rritja e kriminalitetit, papunësia e lartë e kriza ekonomike, tashmë Brazili duhet të përballet me një fakt tjetër, se stadiumet do të jetë bosh gjatë Olimpiadës që nis më 5 gusht. Nëse për Olimpiadën janë shitur vetëm 50% e biletave, për Lojërat Paraolimpike, ato për persona me aftësi të kufizuara, përqindja është edhe më e keqe, vetëm 12% e biletave të shitura. 

Ministri i ri i sportit të Brazilit, Ricardo Leyser, u shpreh në një interviste se po punon për një plan për të shitur sa më shumë bileta dhe për ta bërë sa më tërheqëse Olimpiadën për tifozët. Por në horizont situata nuk duket aspak e mirë, teksa nuk pritet ndonjë “bum” i madh i shitjes së biletave në muajt e mbetura. Kjo mund të sjellë uljen e çmimit të tyre apo mbushjen e stadiumeve me fëmijë, për të evituar dështimin para syve të botës.