Situata politike, në të cilën është futur vendi, duket se ka shqetësuar edhe Parlamentin Europian. Vendimi i opozitës për të djegur mandatet parlamentare, i konkretizuar tanimë, dhe është çështje kohe fillimi i zëvendësimit të tyre, ka vënë në lëvizje edhe deputetët e Parlamentit Europian.
Ditën e djeshme u bë me dije se një delegacion i deputetëve europianë pritet të vizitojë Shqipërinë në datën 27 shkurt. Mësohet se deputetët e PD-së do të zhvillojnë takime me figurat kryesore politike në vend për të krijuar një panoramë më të qartë të situatës politike të krijuar në Shqipëri pas djegies së mandateve nga opozita. Pas takimeve që do të zhvillojnë me përfaqësuesit kryesorë politikë në vend, delegacioni i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian do të dalë në një deklaratë të përbashkët për mediat, e cila pritet të japë edhe nxitjen e parë për kapërcimin e ngërçit politik që është krijuar.
Kujtojmë se dy ditë më parë, opozita e bashkuar dorëzoi mandatet parlamen- tare, ndërsa njoftoi protesta në të gjithë vendin kundër qeverisë. Për herë të parë në 30 vite pluralizëm në Shqipëri, partitë opozitare morën një vendim të paprecedent, atë të djegies së mandateve. Opozita kërkon një qeveri tranzitore, zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare pa Edi Ramën Kryeministër, pasi, sipas tyre, në këtë mënyrë do të garantohet një proces i pastër zgjedhor.
Por ky vendim i ndërmarrë nga opozita duket se nuk ka qenë shumë i pëlqyer nga ndërkombëtarët. Selitë diplomatike në Tiranë e kanë kundërshtuar atë, duke theksuar se një vendim i tillë do të dëmtojë procesin integrues të vendit, ku pritet që në qershor të merret edhe vendimi nëse do të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian apo jo. Deri tani, ndërkombëtarët kanë theksuar se ngjarjet e fundit politike në vend e kanë përkeqësuar situatën e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, pasi krijojnë pasiguri për stabilitetin politik.





