Fluksi i madh i parave që qarkullon në llogaritë e Realit të Madridit nuk është prej shitjeve të futbollistëve, as nga abonimet e tifozëve në “Bernabeu”, as nga të drejtat televizive. Por prej publicitetit dhe marketingut. Të ardhurat prej kësaj kategorie do të sillnin në arkat e klubit 371 milionë euro (45% të të ardhurave në total për sezonin 2019-2020). Por kriza prej Koronavirusit sigurisht që ka krijuar luhatje.Pa futboll, sponsorët nuk shkëlqejnë, madje janë të rrezikuar.

Nëse ata do të kalojnë në kolaps ekonomik, atëherë edhe Reali i Madridit nuk do të qëndrojë imun në këtë katastrofë. Asnjë sponsor nuk mund t’i shpëtojë krizës që ka shkaktuar “COVID-19”. Reali i Madridit ka kontrata me 14 kompani të ndryshme, por “Adidas” dhe “Fly Emirates” zënë peshën kryesore dhe sjellin të ardhurat më të mëdha.Kompania e veshjeve sportive, me të cilën Reali ka firmosur deri në vitin 2028, sjell 100 milionë euro në sezon, por ato mund të zbresin në 50 milionë.

Ndërkohë, kompania ajrore sjell 70 milionë euro në vit. “Adidas” ka kërkuar një kredi nga qeveria gjermane, e cila është 2.4 milardë euro dhe ka një plan individual për të dalë nga kriza ekonomike. Më pak transparente, por sigurisht me një plan të mirëmenduar është edhe kompania e Emirateve Arabe, e cila është sponsor kryesor në fanellën e Realit të Madridit.

Ky sektor është një nga më të prekurit në këtë situatë dhe parashikohen afro 300 milionë euro humbje këtë vit. Emirates nuk bën përjashtim dhe ka përgjysmuar rrogat e 105 mijë punonjësve. Grupet më kryesore të biznesit janë goditur rëndë dhe duhet një kohë e gjatë që të rimëkëmben, prandaj në Madrid e dinë këtë gjë dhe kanë nisur që të shqetësohen.“Nëse nuk do të nisë futbolli shumë shpejt, sponsorët tanë do të kërkojnë ndryshimin e kontratave dhe zgjidhjen e kësaj situate”, ka thënë David Hopkinson, drejtori i përgjithshëm i marketingut në klubin madrilen. Edhe klubi që ka themele shumë të forta ekonomike ka nisur të lëkundet, por sigurisht që aty nuk do të ndihet ashtu si në skuadrat e tjera në Europë dhe në Spanjë.