Të mërkurën e 19 qershorit, në orën 15:00, në “Volksparkstadion” të Hamburgut Kroacia dhe Shqipëria do të ndeshen për herë të parë mes tyre në rang kombëtaresh.

Fati e deshi që dueli i parë mes dy skuadrave të vijë në kuadër të ndeshjeve të dyta në Grupin B për fazën e parë të Kampionatit Europian që zhvillohet në Gjermani. Padyshim ky është një duel historik, duke ditur që nuk kanë asnjë precedent në të shkuarën. Përveç faktit se është hera e parë që përballejn me tyre, kjo ndeshje shikohet edhe si “jeta e vdekje” për kalimin në raundin e dytë. Kroaci-Shqipëri është dueli i të mundurve në ndeshjet e para në grup dhe një tjetër disfatë do t’i minimizonte mundësitë për të kaluar Grupin B. Madje një humbje e Kroacisë mund të shikohet edhe si lamtumirë për Europianin, pasi kanë golavarazhin më të keq në grup, pasi u mund në start nga Spanja në shifrat 3-0.