Sa e lehtë apo e vështirë është të sjellësh një krocerë në portet shqiptare?
Sipërmarrja në fjalë është komplekse dhe këtë më mirë sesa kushdo e dinë agjencitë e specializuara në këtë fushë.
“Të sjellësh një krocerë në portet shqiptare është e vështirë, sepse në Durrës kalatat nuk janë të përshtatshme për anijet turistike. Porti i Durrësit është i dedikuar për mallra të përgjithshme, është tregtar e jo turistik, e për këtë arsye ka probleme”,– thotë për “DurrësLajm” aksioneri i kompanisë Intermed Shiping, Arjan Cyrbja, që prej vitesh operon në këtë sektor.
E njëjta situatë regjistrohet edhe në Sarandë e Vlorë.
“Porti i Sarandës ka problemet e veta, sepse duke nisur nga ky vit do të jetë port i mbipopulluar. Saranda është e vogël për të pritur gjithë këto anije, që janë relativisht të mëdha. Porti i Vlorës nuk ka kalatë të përshtatshme për anijet turistike, sepse është i vogël. Po shihet mundësia që në Vlorë anija të qëndrojë në radë, ndërsa lëvizja e pasagjerëve të bëhet me varkat e krocerës drejt portit të jahteve në Orikum”.
Këto problematika janë reflektuar në numrin në rënie të krocerave që prekin portet shqiptare. Këtë e vërtetojnë edhe statistikat zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, që “DurrësLajm” disponon. Përjashtuar vitet 2020-2021, kur pandemia bëri të vetën, edhe viti 2022 nuk duket mjaft premtues krahasuar me 2019-ën, që mban rekord me 19 krocera. Këtë vit, nga janari në korrik, në Durrës kanë ardhur vetëm 8 të tilla.
Trendin në rënie e pohon edhe Çyrbja, që ka sjellë në port 7 nga 8 krocerat që janë ankoruar aty në 7 muajt e parë të vitit.
“Numri i anijeve turistike ka ardhur në rënie. Edhe përpara pandemisë kishte nisur të ndihej rënia e numrit të krocerave. Kuptohet pandemia e bllokoi totalisht dhe ky është viti që ka nisur ringritja. Por përsëri shohim që janë vetëm ato kompani që e njohin portin e Durrësit dhe kanë krijuar një farë zakoni që të vijnë këtu”.
Nuk mungojnë dhe rastet kur një kompani krocerash, nuk është rikthyer më në portin e Durrësit, pavarësisht tentativave të vazhdueshme.
“Ka qenë një kompani angleze ‘Thomson’. Erdhi vetëm një vit. Edhe pse kemi bërë tentativa të konsiderueshme për t’i kthyer në Durrës, sepse tarifat janë të favorshme, nga vlerësimi që ata kanë nuk e shohin të përshtatshme të kthehen në Shqipëri”.
Projektin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e marinës së Durrësit, Çyrbja e sheh në planin afatgjatë, por më shumë sesa porti atë e shqetëson ajo që vendi ynë ofron përmes guidave turistike për t’u dukur atraktiv në sytë e turistëve elitarë.
“Problemi kryesor është çfarë do të shohë turisti pasi të kalojë portet shqiptare dhe sa e thjeshtë do të jetë guida e tyre turistike në destinacionet që ata kanë. Është një projekt relativisht afatgjatë ai i marinës, që kërkon kohë që të zhvillohet e zbatohet. Ka raste kur anijet nuk hyjnë në basen për shkak të zhytjes. Nëse porti i Durrësit do bëhet marinë, porti i jahteve nuk ka nevojë për thellësi, ndërkohë që krocerat kanë nevojë.” – thotë ai, ndërsa vijon duke na treguar një rast të sapondodhur e që mund të ndikojë në të ardhmen në itinerarin e krocerës për vitet në vijim.
“Me krocerën e fundit kishim probleme me trafikun. Autobuzi në kthim u vonua, ndërsa po vinte nga Kruja dhe anija u vonua rreth 1 orë nga axhenda e saj e nisjes. Kjo është një penalizim dhe krijon pasiguri tek anijet. Këto anije kanë turistë elitarë, që i shprehin menjëherë pakënaqësitë e tyre”.
Përpara se një kompani anijesh turistike të vendosë të përfshijë në itinerarin e saj një port, fillimisht bën inspektimin e tij, por edhe të infrastrukturës dhe rrjetit të shërbimeve që ofrohen pas daljes prej tij. Përtej postimeve në rrjete sociale ku dynden turistët e huaj, ekzekutivi, në bashkëpunim të ngushtë me bashkitë bregdetare, duhet të punojnë fort për ndërtimin e infrastrukturës turistike dhe krijimin e faciliteteve të nevojshme.
Në të kundërt, turistët do vijnë vetëm të vizitojnë “ishullin” 2 miliardë euro të super të pasurve dhe do shmangin qytetin.
M.B.