3 shtator 2015 – Turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë janë më shumë gra apo burra? Nuk dihen të dhënat për grupet që mbërrijnë me autobusë apo me avionë çarter, ndërsa mund të thuhet me siguri se kroçerat që mbërrijnë në Durrës sjellin më shumë turiste të interesuara për vendin tonë se sa meshkuj.

Kroçera “Thomson Majesty”, që mbërriti sot paradite në portin e Durrësit kishte në bord 1511 turistë gjithsej, nga të cilët 828 janë gra dhe vajza, ndërsa 683 janë meshkuj. Thuajse të njëjtat raporte turistësh kanë qenë edhe në dy lundrimet e tjera të kësaj anijeje turistike në maj dhe në korrik të këtij viti. Sipas agjencisë pritëse, kanë qenë rreth 150 turiste femra më shumë se sa burrat. Një pjesë janë drejtuar në Tiranë dhe Krujë, ndërsa të tjerët kanë qëndruar në Durrës për vizita në qendrat arkeologjike dhe muzeale.

Sipas specialistëve edhe mosha mesatare e turistëve që vizitojnë vendin tonë me kroçera është ulur ndjeshëm dhe aktualisht në portin e Durrësit përveç 50-60-vjeçarëve mbërrijnë edhe të rinj e të reja të moshave 18-30 vjeç.

Që nga fillimi i këtij sezoni, portin e Durrësit e kanë vizituar një kroçerë dhe një velier turistik, të cilët kanë mbërritur 6 herë në Durrës me një numër të përgjithshëm turistësh që e kalon shifrën 4.800. Deri në fund të muajit tetor priten edhe 6 anije të tjera turistike.

/portali DurresLajm/