2 dhjetor 2015– Tani dhe shqiptarët mund të punojnë në anijet turistike ëndërr, sikurse janë kroçierat (anglisht: “cruiese”). Në portin e Durrësit gjatë sezonit veror 2015 kanë mbërritur 12 kroçiera dhe veliera luksoze me mbi 8 200 turistë gjithsej. Prandaj edhe vizitat e shpeshta në portet shqiptare u hapin horizonte profesionistëve vendas për të punuar si perëndimorë në këto anije, duke pasur paga dhe përfitime të tjera, në bazë të konventave ndërkombëtare.
Një kompani e njohur ndërmjetëse me seli në Durrës, nëpërmjet zyrës së punësimit, bën të ditur se ofron 90 vende për punonjës shërbimi në anije kroçiere në linjat e ndryshme. Kështu janë 30 oferta për kuzhinier I, II, III; 10 për hidraulik; 10 për DJ (teknik zëri); 10 për teknik dritash; 10 për fotograf; 10 për animator dhe 10 për arkëtarë (kasier) në kazino. Natyrisht, kandidatët duhet të zotërojnë shumë mirë anglishten dhe italishten.
Info
Kompania është angazhuar në krijimin e mundësive të punësimit për ekuipazhet detare në nivele të ndryshme, për anijet me flamur shqiptar dhe të huaj. Pjesa më e madhe e ekuipazheve të rajonit ku bën pjesë dhe Shqipëria, ka kaluar nëpërmjet trajnimeve të zhvilluara në përputhje të plotë me kërkesat e Konventës STCW, në kompanitë e këtij partneriteti. Kompania e licencuar nga autoritetet shtetërore, ka një data-bazë (network) me të dhënat më të fundit të kërkesave dhe ofertave të punësimit për detarët. Është ideuar krijimi i një portali mbi punësimin detar CREW.al. Ky portal ka për qëllim regjistrimin dhe prezantimin (pa pagesë), të kompanive vendase dhe të huaja, detarëve të cilët kërkojnë të punësohen, apo individëve që synojnë këtë karrierë për të ardhmen e tyre profesionale. Ne këtë faqe interneti do të shfaqen të gjitha ofertat aktuale të tregut (shipping), mbi punësimin detar, si dhe detarët shqiptarë e të huaj, të cilët duan të prezantohen nëpërmjet kësaj faqeje duke regjistruar falas cv-të e tyre.
/portali DurresLajm/