Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në Seregno të Italisë, aty ku ka mbetur e vdekur një grua 34 vjeçare nga Shqipëria.

Media italiane raporton se vrarësi i gruas është vetë bashkëshorti i saj, një shtetas maroken i moshës 35-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Romagnosi”.

Marokeni e ka qëlluar për vdekje disa herë me thikë shqiptaren dhe më pas, në kushtet e gjëndjes së rëndë psikologjike i është drejtuar me këmbët e tij komisariatit të policisë.

Me të hyrë në komisariat, marokeni i ka thënë oficerëve të policisë se sapo kishte therur gruan e tij.

Më tutje urgjenca ka shkuar për të shpëtuar jetën e 34-vjeçares, por ka qenë shumë vonë. Shqiptarja ka mbërritur në spitalin San Gerardo në Monza, por ka vdekur pak minuta më pas.

Raportohet se dy bashkëshortët, të cilët kanë një fëmijë 5-vjeçar, prej rreth dy muajsh nuk jetonin më bashkë. Identiteti i viktimës dhe agresorit nuk bëhet ende i ditur nga media.