Një aksident tragjik u ka marrë jetën dy adoleshentëve në SHBA, ndërsa një i tretë ka mbetur i plagosur. Mediat amerikane shkruajnë se aksidenti ndodhi ditën e djeshme në Orangetown të SHBA, ku mes viktimave, raportohet të jetë një djalë 17-vjeçar me origjinë nga Shqipëria, i identifikuar si Altin Nezaj.

Mediat vendase raportojnë se në këtë aksident humbi jetën edhe një 15-vjeçare. Të dy adoleshentët po udhëtonin  më një makinë tip Porsche, e cila po drejtohej nga 17-vjeçari, Aisha Radoncic. Ky i fundit ka marrë plagë të shumta dhe po trajtohet në spital.

Mjeti me të cilin po udhëtonin tre adoleshentët u përplas me një tjetër në rrugën 304 afër Crooken Hill, ndërsa më pas përfundoi poshtë rrugës, sipër shinave të trenit. Grupet hetimore janë në terren dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave.

Familjarët e 17-vjeçarit Nezaj kanë njoftuar për aksidentin tragjik ku humbi jetën Altini, ndërsa të shumtë janë ata që kanë shprehur ngushëllimet në rrjetet sociale për humbjen e papritur.