Policia e Tiranës ka finalizuar mëngjesin e sotëm operacionin e koduar "Taksisti". Në bazë të informacioneve të marra, uniformat blu kanë nisur një hetim për një taksist, i cili shfrytëzonte profesionin e tij për të shpërndarë lëndë narkotike në doza të vogla të llojit Kokainë në Tiranë.

Personi i arrestuar u kap në flagrancë në rreth-rrotullimin e “TEG-ut”. Lëndën narkotike e shpërndante në zonën e Saukut dhe atë të Tiranës së Re.

Specialistët e Seksionit  për  Hetimin e Narkotikëve në Drejtorine Vendore të Policisë Tiranë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Taksisti”,  duke arrestuar në flagrancë shtetasin:

Klaudian Sina, 38 vjeç lindur në Peqin dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë.

Shtetasi i lartpërmendur u kap në flagrancë në rreth-rrotullimin e TEG-ut në këto rrethana:

Në bazë të informacioneve të marra në  rrugë operative se shtetasi Klaudian Sina, me mjetin tip Ford Focus me targa AA 782 EA, shpërndante lëndë narkotike të llojit Kokainë në doza të vogla në disa zona në Tiranë,  menjëherë është organizuar puna për kapjen në flagrancë të këtij shtetasi, ku  në rreth-rrotullimin e “TEG-ut”,  Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë ndërhyrë dhe kanë bllokuar automjetin në drejtim të së cilit ishte shtetasi Klaudian Sina si dhe katër pasagjerë të cilët kishin marrë si taksi.

Gjatë kontrollit të automjetit në sediljen e pasme mbrapa pasagjerit të parë, në ndarjen midis sediljes ulëse dhe asaj mbështetëse janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 15 paketime plastike të mbyllura me djegie, brenda se cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike të llojit Kokainë, si dhe nje facolet brenda së cilës kishte 10 paketime plastike të mbyllura me djegie ku kishte material pluhur të dyshuar lëndë narkotike të llojit Kokainë.

Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e proves materiale: 1 automjet dhe 2 telefona celularë

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga neni 283 i Kodit Penal.