Policia greke ka kapur një ngarkesë me drogë në kufirin greko-shqiptar, ndërsa është arrestuar një 49-vjeçar dhe është shpallur në kërkim një 41-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur në Plagia, Konitsa të Janinës, ku është ndaluar një automjet që vinte nga kufiri gjelbër. Brenda automjetit, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar 32 pako me 47 kg 863 gram marijuanë.

Në pranga ra drejtuesi i mjetit, 49-vjeçari grek ndërsa u shpall në kërkim shqiptari 41-vjeçar, i cili rezulton se duke drejtuar një automjet, ka kryer rolin e kontrollorit të rrugës duke ndihmuar mjetin që transportonte drogë.

Gjatë kontrollit të banesave të të arrestuarit dhe të kërkuarit, u gjetën dhe sekuestruan gjithashtu 150 gram marijuanë, 1500 euro, 14.000 lekë shqiptarë dhe automjeti i 41-vjeçarit.