Seksioni për narkotikët në Policinë e Durrësit ka arrestuar në flagrancë një 40-vjeçar si dhe ka shpallur në kërkim një punonjës policie, pasi janë të përfshirë në aktivitet kriminal.

Njoftimi i policisë

Më datë 20.04.2018 u arrestua në flagrancë shtetasi B.H. 40 vjeç, banues në Gjirokastër.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit me iniciale S.O. banues në Tiranë, punonjës policie, pasi më datë 19.04.2018, në fshatin Thumanë,  nga kontrolli i ushtruar në dy automjete u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 421 kg e 450 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit Marijuanë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi S.O. është i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Nga ana jonë është njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka bërë  pezullimin e menjëhershëm nga detyra dhe nisjen e ecurisë disiplinore për shkelje të rëndë.

Po punohet për gjetjen e tij dhe vënien në dispozicion në kryerje të hetimeve. Neni 283/2 i Kodit Penal.