Një tifoz i Tomorit të Beratit, ka rënë pre e dhunës së tifozëve të ekipit të Patosit dhe ka përfunduar në spital. Lajmi konfirmohet nga drejtuesit e klubit beratas Bëhet fjalë për Nderim Deliun, i cili ndodhet në Spitalin e Fierit, ndërsa autorët ende të paidentifikuar nga policia.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, në dalje të qytetit të Patosit, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Patosi-Tomori, që përfundoi me fitoren e Tomorit 1-2. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, jashtë stadiumit tifozët kanë qëlluar me gurë në drejtim të autobusit të Tomorit dhe mjeteve të tifozëve, e po aty janë shpërndarë nga policia.

Në dalje të Patosit, në aksin nacional Patos-Berat, njëri nga tifozët, Nderim Deliu, është ndjekur nga dy automjete: njëri tip Golf dhe tjetri tip Benz, të cilët e kanë goditur me makina duke e nxjerrë jashtë rruge.

Më pas, 6 personat që ndodheshin në dy automjete Golf e Benz, e kanë nxjerrë Deliun zvarrë nga automjeti i tij dhe e kanë goditur me shkopa bejsbolli e shkelma, duke e lënë të shtrirë në tokë, pa ndjenja, raporton BW.

Agresorët janë larguar nga vendngjarja dhe ende nuk janë identifikuar nga policia, ndërkohë që i plagosuri Nderim Deliu, banues në fshatin Otllak në Berat, është transportuar në Spitalin e Fierit.