Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e dy të rinjve, njëri prej të cilëve shqiptar, ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në një autostradë në Itali.

Aksidenti u shënua rreth orës 07:30, në A4, mes Villesse dhe Redipuglia, në drejtim të Triestes, ku viktima mbetën 28-vjeçari Arjan Disha dhe 34-vjeçari maroken, Jamal Amaadour.

Sipas medieve italiane, ata udhëtonin me një “Fiat Bravo” kur u përplasën me një kamion që kishte ndaluar në korsinë e emergjencës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Dy të rinjtë, sipas medieve fqinje, jetonin në provincën e Trevisos, por punonin në Monfalcone (Gorizia). Ata ishin nisur për në punë kur ndodhi aksidenti tragjik. Shkaqet e aksidentit të rëndë mbeten të paqarta, por nuk përjashtohet mundësia që shoferin ta ketë kapur gjumi ndërkohë që ishte në timon.