Me shkop gome, kriket dhe nga një thikë në dorë, grabitja me dhunë e familjes Merdani në Greshicë të Mallakastrës ka përfshirë në panik gjithë fshatin ku ndodhi ngjarja.

Edhe pse Policia arriti në një kohë rekord të identifikojë autorët, familjarët dhe të afërmit e tyre vijojnë të jenë të tronditur nga mbrëmja e 22 marsit. Ata kanë treguar edhe detaje se si grabitësit arritën të hyjnë në shtëpinë e tyre, të maskuar dhe me armë të ftohta dhe mjete të forta, ata kanë kërcënuar familjarët.

I zoti i shtëpisë, Përparim Merdani, ka treguar se dy djem të rinj të maskuar me thikë në dorë dhe me një shkop bejsbolli, i kanë kërcënuar dhe iu kanë kërkuar çelësin e dhomës ku mbanin paratë. I moshuari tregon se bashkë me gruan e kishte zënë gjumi, por u zgjuan nga ulërimat e mbesës, e cila i ka parë e para autorët e grabitjes.

“Çunat i kisha në Ballsh të shikonin sportin (ndeshja Shqipëri-Turqi). Unë isha me nënën lart dhe me mbesën, gruaja kishte qenë e lodhur e kish zbritur poshtë e kish zënë gjumi. Mua e plakën na zë gjumi, ashtu pa shtrirë akoma. Mbesa shikonte ato telenovelat. Kur ata hynë, mbesa filloi të ulërinte se i pa e para. Sa u ngrita unë, ata më vunë thikën në kokë dhe kontrolluan të gjithë shtëpinë. Mua më kërcënuan dhe qëlluan. Më qëlluan te hunda më iku gjak, më lanë shenjë këtu te syri. Dhoma ku kisha paratë ishte e mbyllur me çelës, refuzova t’i jepja çelësin, prandaj më goditën me grushte”, ka treguar Merdani.

Ai shton se më tej grabitësit shqyen dhomën ku mbante paratë, i morën dhe u larguan. Përparimi tha se i kanë marrë 1 milion e 700 mijë lekë të vjetër, të cilat ia kishte sjellë vëllai nga Anglia për nënën e sëmurë.

“Ata kur nuk ua dhamë çelësin e shqyen derën, hynë brenda i gjetën paratë e i morën. Ishin tre veta të maskuar. Nuk i njohëm. Kishin shkop gome, kishin mjete të forta, kishin edhe nga një thikë. Ata kanë dëgjuar që erdhi im vëlla nga Anglia e kur iku më la ca lekë që nëse do sëmurej plaka, ta çoja në spital. Jemi të pambrojtur dhe kemi frikë”, ka shtuar ndër të tjera kryefamiljari.

/Panorama