Policia e Durrësit bën me dije se është ndaluar 33-vjeçari i shpallur në kërkim për dy vepra penale.

I riu R.G., banues në Durrës akuzohet për "Prodhim dhe shitje të narkotikëve, kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Vjedhje e energjisë elektrike" në kuadër të operacionit policor të koduar "Shkozeti".

Në kuadër të po këtij operacioni, të shtunën e 7 qershorit u arrestua 25-vjeçari Elio Bedulla, i cili ishte i shpallur në kërkim pasi në datën 4 qershor 2018 dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit S.N. (pa shkaktuar dëmtime fizike).

Policia njoftonte më herët se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Y.T. (dhënë me qira) lagja nr.14, Shkozet, në 2 dhoma është konstatuar se ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llampave elektrike. 

Gjatë operacionit është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike në banesë, që shërbente për furnizimin me energji.

Në cilësinë e provave materiale grupi hetimor ka sekuestruar:

  • 221 bimë të dyshuara të llojit Cannabis Sativa;
  • një sasi e vogël kanabis;
  • 1 armë zjarri pistolete.

33-vjeçari i arrestuar nga policia një ditë më parë (09.07.2018), akuzohej si bashkëpunëtor në kryerjen e veprës penale me shtetasin E.Bedulla, pasi ky shtetas e kishte marrë me qira banesën e shtetasit Y.T.