Forca e Posaçme “Shqiponjat” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 2 në kryeqytet kanë arrestuar një 23-vjeçar nga Shijaku.

Mësohet se i riu, Julian Gjoshi i prangosur qarkullonte me armë zjarri me vete dhe ishte një person me precedent të mëparshëm penal.

Gjithashtu është proceduar penalisht edhe një 24-vjeçar, për moskallëzim krimi. Forcat blu kanë sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

NJOFTIMI I POLICISË

Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, Forca e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, ka arrestuar në flagrancë shtetasin:

J. Gj., 23 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Kapja e këtij shtetasi u bë në bulevardin “Gjergj Fishta”, gjatë kohës që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.54 mg/l.

Shërbimet e Policisë kishin marrë informacion në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin J. Gj. dhe pasagjer shtetasin E. B., poshtë sediljes së drejtuesit të mjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Beretta” dhe 10 fishekë.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi E. B., 24 vjeç, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë fakt dhe nuk ka kallëzuar në organet kompetente.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.