Policia e Tiranës njoftoi goditjen e një grupi shpërndarësish kokaine në Tiranë në një operacion të quajtur “Decline”. Në pranga janë vënë Azis Meta, 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar për “Trafik armësh dhe lëndë narkotike”, Përparim Kalbaj, 46 vjeç gjithashtu banues në Tiranë, Aleks Kanaçi, 35 vjeç, banues në Berat dhe E.B, 23 vjeçe, banuese në Tiranë.

Ata janë prangosur në rrugën “Nikolla Jorga” pas informacioneve të marra në rrugë operative se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin kokainë në sasi të vogla personave të ndryshëm në zonën e “Bllokut”.

Shtetasit e lartpërmendur lëviznin me dy automjete.

Gjatë kontrollit fizik, të arrestuarve iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

276.6 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit "Kokainë".

Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 automjetet dhe 7 telefona celularë.