Është arrestuar pronari i pikës së gazit ku ndodhi shpërthimi paraditen e së martës (5 nëntor) në Portëz të Patosit.

Në pranga ra 62-vjeçari me iniciale S. M., banues në Fier për veprën penale "Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse djegëse dhe radiokative" dhe "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë" e mbetur në tentativë.

“S.M., 62 vjeç, banues në Fier u arrestua u bë pasi në pikën e furnizimit me gaz të automjeteve në fshatin Portëz, në pronësi të këtij shtetasi, ka rënë zjarr dhe si pasojë ka pasur shpërthim, ku janë dëmtuar banesa e godina përreth”, raporton policia.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 10:15 dhe pati vetëm dëme materiale.

Dyshohet se incidenti u shkaktua nga një defekt teknik që shpërtheu një depozitë gazi që furnizon automjetet.

Pronari i pikës së gazit tha për mediat menjëherë pas ngjarjes se shpërthimi ndodhi ndërkohë që një punonjës po mbushte një bombol gazi.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier, për veprime të mëtejshme.