Një çift biznesmenësh u plagosën mbrëmë me armë zjarri në banesën e tyre, në zonën e Alliasit në Tiranë.

Mësohet se Petrit Laze ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pasi ka marrë një plumb në bark. Ndërsa, gruaja Afërdita Laze ka marrë një plumb në kofshë, por paraqitet në gjendje më të stabilizuar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40 në rrugën “Njazi Meka” në vilën e çiftit. Sipas policisë, dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e tyre për t’i grabitur, por në momentin që janë konstatuar nga Petrit dhe Afërdita Laze, njëri prej personave ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të çiftit duke i plagosur.

Petrit dhe Afërdita Laze janë me origjinë nga Skrapari dhe në Tiranë kanë ardhur në 1994-n. Ata kanë disa dyqane të prodhimeve të brumit. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe vijon krehjen e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.