Policia ka gjetur një trup të pajetë në zonën e Niklës. Burimet nga policia bëjnë me dije se trupi i pajetë i përket 34-vjeçarit të zhdukur në Laç që prej datës 9 Korrik, Elion Hysës. Trupi është gjetur i groposur dhe dyshohet se është vrarë. Megjithatë trupi i gjetur do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Elion Hysa, njihet edhe me emrat Keisi dhe Elvis Hysa. Ai ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët e tij.

34-vjeçari Hysa ka qenë në kërkim nga policia përpara se të zhdukej. Për të gjykata ka caktuar masën arrest me burg për një vrasje të ndodhur 3 vjet më parë, në 10 korrik 2015 në qytetin e Sarandës. Ai rezulton i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e Edmond Theodhorit, pronar i një lavazhi në këtë qytet. Mes viktimës, 32-vjeç dhe autorëve ka pasur një grindje për shkaqe banale.

Një ditë më pas, 6 persona e kanë rrethuar Edmond Theodhorin dhe pasi i kanë shkatërruar makinën me leva dhe shkopinj bejzbolli e kanë qëlluar për vdekje me një pistoletë. Tre persona u arrestuan një ditë pas, ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim mes të cilëve edhe Elion Hysa. /tvklan.al