Policia ka dokumentuar një ngjarje të ndodhur në maj të vitit 2019.

Finalizohet operacioni policor i koduar "Gjurmimi", i cili ka vënë në pranga 4 shtetas, të cilët qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali dhe për pasojë mbeti i plagosur 63-vjeçari D. C..

NJOFTIMI I POLICISË

Në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 10.05.2019, në lagjen "Ujë i Ftohtë", ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali dhe si pasojë mbeti i plagosur 63-vjeçari D. C., ju informojmë se:

Policia e Vlorës, si rezultat i punës intensive hetimore prej 6 muajsh, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë, ka bërë zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcave Operacionale, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendodhjen e personave të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor të koduar "Gjurmimi", si rezultat i të cilit kanë bërë ndalimin e shtetasve:

• D. E., 25 vjeç, banues në Vlorë;
• A. G., 24 vjeç, banues në Fier;
• D. S., 28 vjeç, banues në Tiranë;
• A. A., 26 vjeç, banues në Tiranë;

Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.