Mediat italiane i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë një çifti shqiptari në Itali, pas vdekjes së vajzës së tyre të vogël.

 “Zoti na e dha, Zoti na e mori. Duhet të jemi të fortë për Alendorin, fëmijën tonë të parë 20-muajsh”, shprehen ata.

Fytyrat e prindërve janë shënjuar nga lotët për humbjen e vajzës së tyre Aria.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 10 janar të këtij viti, ku Fisnik Hasaj dhe gruaja e tij 23-vjeçarja Arlinda humbën vajzën e tyre, e cila kishte ardhur në jetë më 5 Dhjetor të 2017.

Sipas mjekëve, vajza “ka vdekur në djep”, në shtëpinë e tyre në Altobello (në komunën Mestre, provincë në Venecia), që 32-vjeçari kishte mundur ta blinte pasi ishte martuar me Arlindën.

“Në 22:30 vajza ishte mirë, ishte vetëm e ftohur, dhe të hënën e çuam në pediatri për të marrë aerosol. Për herë të fundit e ushqeva rreth orës 1 dhe pastaj e zuri gjumi”, ka treguar Arlinda me lot në sy.

“Duam ta varrosim në Shqipëri, në Shkodër, në qytetin tonë. Do të nisemi të hënën”, është shprehur Fisniku për mediat italiane.