TIRANË, 11 maj 2013– Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ka shpeshtuar mbledhjet kohët e fundit. 

Ai u mblodh dje pasdite nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha, ku u shqyrtuan një sërë projektesh për HEC-et dhe objekte arsimore e turistike. Me rëndësi ka qenë miratimi i dy lejeve të ndërtimit për dy resorte turistike në gjirin e Lalzit, në Durrës me vlerë 400 milionë euro.

BERISHA: KANË NISUR HEC-ET, SË SHPEJTI KASKADA E DEVOLLIT

KRRTSH ka dhënë dje shtatë leje infrastrukturore për ndërtime hidrocentralesh në vend. Shefi i qeverisë tha se “energjia është një ndër sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit të vendit". Ai njoftoi se ka nisur ndërtimi i një serie HEC-esh dhe së shpejti nis investimi më madhor, që është Kaskada e Devollit”. Berisha shtoi se “në mandatin e ardhshëm starton projekti ’Shqipëria lider’ apo superfuqi energjetike në rajon për energjinë e rinovueshme”. Po kështu, KRRTRSH ka vendosur të lejojë ndërtimin e shtesës së godinës së Korpusit Politeknik Universitar në Tiranë. 

DY RESORTE TURISTIKE NË GJIRIN E LALËZIT

Komiteti Kombëtar për Rregullimin e Territorit ka miratuar dje leje zhvillimi për dy resorte turistike në gjirin e Lalzit, në Durrës me vlerën 400 milionë euro.

 

Berisha: Tirana dhe Durrësi u betonizuan, ne do t'i gjelbërojmë

Komunat përreth janë fat i madh i Tiranës ato janë një mrekulli. Do bëjmë gjithçka që ato t’ju garantojnë qytetarëve sipërfaqe të gjelbërta. Të mbjellim pemë, dru e shkurre në cdo sipërfaqe të lirë të kryeqytetit. Ne do bëjmë gjithçka në të mirë të shëndetit dhe jetës”, tha ai. Gjatë prezantimit të planit për Durrësin, kryeministri Berisha sulmoi kreun aktual të Bashkisë Durrës, socialistin Vangjush Dako se ka betonizuar qytetin bregdetar.

Sipas Berishës, plani do të shpëtojë Durrësin nga pasioni i kryebashkiakut për betonizimin e tij.

Berisha ka ironizuar edhe mungesën e Dakos në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit : ”Ku është Vangjushi? S'ka, nuk e lë kryetari”. Në përfundim të mbledhjes u miratua plani i Këshillit Kombëtar të territorit për Durrësin.

KRRTRSH: DY LEJE PËR AMC DHE VODAFONE

KRRTRSH miratoi edhe dy vendime për dhënie të lejes kombëtare dy kompanive celulare AMC dhe VODAFONE për ndërtimin e stacioneve të reja për telefoninë e lëvizshme. Kreu i qeverisë duke ritheksuar mbështetjen e qeverisë për zhvilimin e biznesit, tha se pushteti vendor u vendosi kompanive celulare taksa absurde, për të cilat qeveria u detyrua të ndërhynte me vendime të prera.