3 korrik 2015 – Kruja është një nga qytetet më të preferuara turistike në shkallë vendi dhe dy muzetë e saj kanë një numër shumë të lartë vizitorësh vendas dhe të huaj.
“Në periudhën janar-qershor të këtij viti, Muzeu Historik “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” është vizituar nga 45.300 turistë gjithsej”, thotë drejtori i muzeve të Krujës, Medi Hafizi.
Muzeu Historik dhe ai Etnografik ndodhen në oborrin e kalasë mesjetare dhe sistemimet e kohëve të fundit, së bashku me përmirësimin e informacionit kanë rritur interesimin e vizitorëve që vijnë nga Polonia, Çekia, Sllovakia, etj., ndërsa nuk mungojnë edhe turistët gjermanë, britanikë, belgë dhe italianë.
Gjatë muajit maj u shtuan vizitat e maturantëve nga qytete të ndryshme të Kosovës. Javët e fundit është rritur dhe numri i turistëve ditorë që vijnë kryesisht nga Budva (Mali i Zi).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/