Skuadra e Teutës vazhdon merkaton. Klubi durrsak ka menduar për të “rinuar” repartin e prapavijës duke afruar Arsid Krujën, i cili në sezonin e fundit luajti me Vllazninë. Mbrojtësi u shpreh i lumtur për arritjen e marrëveshjes, teksa premton se do të japë maksimumin.
Arsid, kush ju bindi të riktheheshit në Durrës?
Rikthehem me kënaqësi te Teuta dhe për këtë falënderoj presidentin Hasanbelliu, i cili për të dytën herë më afron me skuadrën e tij.
Largoheni nga klubi i qytetit të lindjes për Teutën. Cila ishte arsyeja?
Vij nga një periudhë e bukur me ekipin e qytetit tim, ku arritëm te fitonim dy Kupa të Shqipërisë, por për arsye të ndryshme dhe pa dëshirën time, nuk ishte e mundur të vazhdonim bashkëpunimin.
E kishit menduar ndonjëherë se mund të ktheheshit te Teuta?
Futbollit kurrë nuk i dihet, sot je këtu, nesër në një vend tjetër. Por rëndësi ka që të japësh maksimumin dhe të shpërblesh besimin.
Përse zgjodhët Teutën mes ofertave të tjera?
Që në momentin e parë që kam ndërprerë bashkëpunimin me Vllazninë, ekipi i parë që kisha kontakte, ishte Teuta dhe dëshira ime ishte të vija në Durrës.
Keni një qëllim që erdhët te Teuta?
Qëllim kam të bëj më të mirën e mundshme dhe të jemi sa më konkurrues, në mënyre që të fitojmë trofe.
Mendoni se do te përshtateni shpejt te Teuta?
Besoj se po, sepse e njoh shumë mirë ambientin dhe ndihem si në shtëpinë time.