KRUJE, 5 dhjetor 2013 – Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në fshatin Tapizë të Krujës. Një 18-vjeçar i identifikuar si Ardit Krashi, ka qëlluar për vdekje, me sende të forta, babain e tij, Dali Krashi 64 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen e menjehershme.Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes babait dhe të birit. Sipas hetimeve paraprake, mësohet se atë e bir janë grindur, pasi 64-vjeçari kishte mbërritur në shtëpi në gjendje të dehur duke dhunuar të gjithë pjesëtarët e familjes. Policia arrestoi menjëherë autorin e krimit, 18-vjeçarin Ardit Krashi, i cili tregoi të gjithë ngjarjen në komisariatin e policisë.
I riu tha se nuk kishte patur si qëllim të vriste të atin, por kishte tentuar ta ndalonte, pasi ai po dhunonte nënën dhe motrat. 18-vjeçari deklaroi se i ati ishte i papunë dhe vinte gjithnjë i dehur në shtëpi, duke ushtruar dhunë sistematike ndaj të gjithë familjes.
“Babai erdhi i dehur në shtëpi, duke na rrahur. Nuk kisha qëllim ta vrisja, por të parandaloja. Babai filloi të rrihte mamanë dhe motrat. Ndërhyra për ta ndaluar dhe e godita në kokë. E nxora jashtë dhe më pas e lidha këmbë e duar. Se dija se kishte vdekur, doja të mos na rrihte sërish.”- rrëfeu i riu në polici.
Policia e Krujës bëri të ditur se pak përpara se të ndodhte ngjarja kishte marrë një telefonatë që sinjalizonte dhunë në një familje në Tapizë. Por kur efektivët e policisë kanë mbërritur në banesën e familjes Krashi e kanë gjetur 64-vjeçarin të vdekur dhe të lidhur këmbë e duar. Familja Krashi me origjinë nga Dibra, jetonte prej më shumë se 10 vitesh në Tapizë të Krujës dhe ndihmesë e vetme për to, ishin të ardhurat nga djali i madh që jeton si emigrant në Londër.





