Shoqërohen në polici 10 persona mbi shpërthimet në zyrën e OSHEE-së dhe Tapizë

DURRËS, 13 nëntor 2014 –  Dy shpërthimet e njëpasnjëshme, brenda 9 orëve (Fushë Krujë-Tapizë), deri tani pa autorë, kanë detyruar efektivat blu të Durrësit të shoqërojnë në komisariatin e policisë të Krujës 10 persona.

Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut të Durrësit-Krujë njofton se një shpërthim me eksploziv ka tronditur fshatin Tapizë, komuna Nikël, rrethi i Krujës, rreth orës 06:50 të mëngjesit të 12 nëntorit 2014. 

Sipas policisë, lënda plasëse ishte vendosur në derën kryesore të biznesit të shtetasit B. B. 

Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, ndërsa raportohen vetëm dëme materiale.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, nga ku ka nisur hetimet për zbardhjen e  rrethanave dhe kapjen e autorëve përgjegjës. 

Një grup hetimor ndodhet gjithashtu në vend për të mbledhur provat.

Ky është shpërthimi i dytë me eksploziv që ndodh gjatë 9 orëve të fundit. 

Ndërsa shpërthimi në Fushë-Krujë, ndodhi në orën 21:55, më 12 nëntor 2014,  te “SMT”-ja, mu në zyrën e operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE), në prag të protestave të opozitës kundër aksionit të shtetit për kapjen e hajdutëve të korrentit.

Rreth orës 10:13 të paradites së 13 nëntorit 2014, policia raportoi se janë shoqëruar në komisariatin e policisë së Krujës 10 persona, lidhur me ngjarjet e OSHEE-së dhe Tapizës, si të dyshuar, për të hedhur dritë mbi rrethanat dhe mbi ndonjë konflikt të mundshëm.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/