● Femër “danoçe” në fshatin Radë të Manzës: rreh vjehrrin dhe një grua
● Urdhra mbrojtjeje për “lalën” e madh nga “lala” i vogël dhe bashkëshorten nga burri
DURRËS, 23 janar 2015 – E enjtja, 22 janar 2015, ishte dita e dhunës në familje në qarkun bregdetar, në fshat dhe në qytet: dy të arrestuar, një procedim penal në gjendje të lirë dhe tri kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut Durrës-Krujë njofton se të enjten, më 22 janar 2015, u ndaluan dy 21-vjeçarë në kërkim, ndaj të cilëve gjykata e Krujës kishte dhënë masën e sigurisë të arrestit në burg për veprën penale të dhunës në familje. Kështu në orën 14.00 u kap Erald Nika, banues në Fushë-Krujë, i dënuar më 9 janar 2015 dhe i shpallur në kërkim më 12 janar 2015. Në orën 20.30 u prangos Hamdi Bajrami, banues në fshatin Shkozë Bardhë Komuna Thumanë Krujë, i dënuar në mungesë që më 18 dhjetor 2014.
Po të enjten, më 22 janar 2015, ora 13.00, u plotësuan tri kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme: për 38-vjeçaren S. D, banuese në Durrës, nga bashkëshorti, A. D., 45 vjeç; ora 21.30, për 40-vjeçarin K. I., banues në Shënavlash të komunës së Rrashbullit nga i vëllai I. I., 36; ora 12.00, për 52-vjeçarin D. S., banues në fshatin Radë të bashkisë së Manzës, nga nusja e djalit, M. S., 27 vjeçe, dhe njëkohësisht, ndaj kësaj femre “danoçe” filloi procedimi penal në gjendje të lirë, sepse e ka paditur në polici edhe 39-vjeçarja V. S. për rrahje dhe kërcënime.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





