DURRËS, 29 dhjetor 2013 –  Çudhia, zonë e thellë malore prapa Malit të Krujës, me një nivel të ulët jetese të banorëve, është shndërruar jo vetëm në një “Lazarat” të vogël për kanabis, por aty ruhen edhe “kujtime” të vitit të mbrapsht 1997, sikurse janë armët.

KONTROLL BANESE ME LEJE GJYKATE

Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se një arsenal armësh e municionesh luftarake u kap më 28 dhjetor 2013 nga blutë e Krujës në një banesë në fshatin Rranxë të komunës së Çudhisë. Zbulimi ndodhi gjatë kontrollit në disa mjedise, për pronarët e të cilëve kishte të dhëna se mbanin armatim luftarak apo sende të tjera të jashtëligjshme. Për mbajtjen pa leje të armëve e municioneve luftarake u arrestua në flagrancë në orën 20.30 shtetasi Baft D., 69 vjeç. Bie në sy fakti që për herë të parë flitet në komunikata se “kontrollet  e banesave u autorizuan me vendim të gjykatës” së rrethit Krujë datë 27 dhjetor 2013. Kurse bastisjet u realizuan rreth orës 14.00 të datës 28 dhjetor 2013.

ARSENALI

Në banesën e shtetasit Baft D. u gjetën e sekuestruan 1 automatik model 47 së bashku me një krehër me fishekë; 2 pushkë model 63; 2 pushkë model 56 me krehra; 1 automatik PPS me krehër; 1 pushkë italiane; 4 arka metalike me municion luftarak; gjithsej 7 armë luftarake dhe 4 arka me municion për to.

Info

Komuna Çudhi përfshin fshatrat Nojë, Mafsheq, Shqezë, Shkretë, Çudhi-Qendër, Çudhi-Kamp, Kroi-Madh, Bruz-Zall, Bruz-Mal, Rranxë.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/