DURRËS, 5 janar 2015 – Papërgjegjshmëria e një 20-vjeçari arrin deri atje saqë drejton pa patentë një autoveturë, karambolohet me një tjetër të parkuar në rrugë, plagos 4 veta dhe ia mbath nga vendngjarja, por që kapet shpejt nga forcat e rendit.
Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë bën të ditur se, të dielën, më 4 janar 2014, ora 21.30, u arrestua Osman Vuka, rreth 20 vjeç, banues në qytetin e Fushë-Krujës, pa leje drejtimi automjeti. Sipas bluve, po të dielën, më 5 janar 2015, rreth orës 14.55, në boshtin rrugor Fushë-Krujë – Krujë, në Kameras, Vuka ka bërë një aksident të rëndë, madje duke u larguar nga vendngjarja. 20-vjeçari, pa patentë po i jepte një “Volkswagen-i Polo”, me targë AA 901 HV.
Pa pikën e kujdesit, Vuka përplaset me një “Opel Astra” me targa DR8471 D, të parkuar në rrugë. Drejtues i “Opel”-it ishte 30-vjeçari Fluturim Lami, banues në Kameras, i cili u plagos. Por u aksidentuan edhe tre këmbësorët me mbiemrin Xaka: Rrema i datëlindjes 16.07.1968, banues në fshatin Mafsheq; Lumturia e datëlindjes 27.11.1968, banuese në fshatin Shullaz, Fatjoni i datëlindjes 20.09.2001, banues në Nojë Krujë. Një oficer i policisë gjyqësore thotë të 4 të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak Tiranë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





