Krujë, “kryeqytet” tritoli: Ushtrisë i humbin 12 mijë “llokume”
DURRËS, 8 nëntor 2014 – Shthurja e përgjithshme e shtetit ka bërë që nga depot e lëndëve plasëse të ushtrisë në fshatin malor Nojë / Nuojë të komunës së thellë malore të Çudhisë në Krujës të “zhduken” 2, 4 tonë tritol, i ndarë në 12 mijë kallëpe / “llokume” tritoli 200-gramësh, si dhe materiale të tjera ushtarake, shifra është bërë e ditur në mbrëmjen e së premtes, 7 nëntor 2014 nga vetë prokuroria e rrethit gjyqësor të Krujës.
Flitet për një dëm, që llogaritet në rreth 200 milionë lekë.
Megjithatë, policia ushtarake ka arrestuar Adem Hasanin, me gradë tetar, i cili ishte përgjegjës i magazinës së armatimit në fshatin Nojë / Nuojë, komuna Çudhi, Krujë.
Në një njoftim shtypi Prokuroria e Përgjithshme tha se dyshon që lënda plasëse mund të jetë shitur për shpërthimet në guroret e zonës, por edhe për veprime me qëllime terroriste në qytetin e Krujës, në rajone të tjera të vendit, por edhe jashtë territorit të Shqipërisë.
Në njoftimin e organit më të lartë të akuzës shqiptare thuhet:
“Për shkak të akteve të shtuara të atentateve me lëndë plasëse në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës, prokuroria e këtij qyteti ka ndërmarrë hetime të gjithanshme për të zbuluar origjinën dhe itinerarin e tritolit që është përdorur në shpërthime kundër bizneseve, shtëpive banimi dhe ambienteve të tjera private. Prokuroria e Krujës konstaton se municioni që mungon në inventarin e magazinës, si fishekë, kallëpe tritoli, lëndë plasëse, djegore, e të tjera, janë të një karakteri sensitiv, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha”.
Sipas Prokurorisë këto lëndë luftarake bien në duart e personave me precedentë penalë, apo organizatave me karakter kriminal, krijojnë rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Ushtria shqiptare deklaron se denoncimi është bërë më herët nga dikasteri i Mbrojtjes, pas një kontrolli të kryer me urdhër të ministres znj. Mimi Kodheli, në fillim të muajit nëntor 2014.
Info
Duhet përmendur se në Fushë-Krujë është dhe firma private “Babasi Coo”, e themeluar dhe në bashkëpronësi të ish-deputetit të PD-së, z. Ndriçim Babasi.
“Babasi Coo” e konsideron veten “lider të eksplozivëve” në Shqipëri, dhe thotë se “ka arritur majat e suksesit nëpërmjet tregtimit, magazinimit dhe shpërndarjes së eksplozivit për përdorim civil. Duke bashkëpunuar më shoqëritë më të mëdha globale të prodhimit të eksplozivëve kemi arritur të shndërrohemi në shoqërinë lider ne llojin e vet.
Partneritetet me prodhues gjigantë na kanë dhënë eksperiencën e duhur për t’u përhapur në tregun shqiptar e më tej.
Tregu shqiptar i eksplozivëve njeh një përhapje rreth 70% të shoqërisë sonë e cila furnizon çdo kompani në çdo cep të Shqipërisë me lëndë plasëse dhe shpërthyese për përdorim civil të cilësisë së lartë (për hapjen e minierave; në zonat e nëndheshme, siç janë terrenet të cilat studiohen për të realizuar hapjen e hapësirave; për përdorime speciale, sikurse janë shpërthimet e nënujshme të një shkalle goxha të lartë vështirësie etj.)”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
BIRN: Mbyllja e TikTok-ut nuk ndikoi në minimizimin e dhunës në shkolla
Shoferi humb kontrollin dhe përplaset me një automjet të parkuar, përfundon i përmbysur në rrugë
“21 Janari”/ Ilir Meta përfundon dëshminë në SPAK
Meghan Markle dhe Princ Harry vijnë me një projekt të ri në Netflix





