DURRËS, 27 janar 2014 –Krutanët nuk heqin dorë nga përdorimi i llokumeve të dinamitit për zgjidhjen e konflikteve, sikurse ndodhi në mesnatën e së dielës dhe së hënës, fatmirësisht me dëme materiale, por çka rëndësi, njëri nga dy autorët e dyshuar u kap në pasdite. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 27 janar 2014, rreth orës 2.00 pas mesit të natës, në fshatin Larushk të bashkisë së Fushë Krujës, në një lokal mobilierie në pronësi të P. Rr., është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse. Për fat të mirë, pati vetëm dëme të lehta materiale. Pasi u njoftuan, në vendngjarje erdhën menjëherë blutë. Ata u vunë në ndjekje të autorëve, që po lëviznin me një “Benz”, i cili u braktis më pas në afërsi të Kamzës. Shërbimet e policisë së Krujës arritën në përfundim mbi identitetin e dy autorëve të dyshuar si dhe bënë shpalljen në kërkim të tyre. Dyshohet se ngjarja është paraprirë nga një konflikt midis palëve. Një nga autorët e dyshuar ka precedentë të mëparshëm në fushën e veprave penale ndaj pronës. Forcat e zbatimit të ligjit në Krujë finalizuan me sukses përpjekjet e ndërmarra, me kapjen deri tani të një prej dy autorëve të dyshuar. Gjatë pasdites së 27 janarit 2014, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i rrugës Larushk” organet e rendit bënë të mundur kapjen e Astrit L., datëlindja 1979, nga Larushku, një nga dy personat e shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të vendosjes së lëndës plasëse. Bashkëpunimi me policinë e rretheve fqinje dhe kontrollet vijuan gjatë gjithë ditës.
/agjencia e lajmeve “





