DURRËS, 19 qershor 2013 – Mesnatën e djeshme, me iniciativën e Komisariatit të Policisë Krujë dhe mbështetur nga Reparti  RENEA, një operacion policor është ndërmarrë në drejtim të goditjes së një grupi kriminal, persona të cilët të armatosur frekuentonin lokale të ndryshme në komunat e Krujës.

Sipas deklaratës për shtyp, operacioni policor “Proaktiv”, i finalizuar me arrestimin në flagrancë të tre shtetasve dhe procedimin në gjendje të lirë të një të katërti, u ndërmor pas një pune të zhvilluar nga strukturat në drejtim të grumbullimit të informacionit mbi frekuentimin nga persona të armatosur të lokaleve të natës, dhe është pjesë esenciale e punës për parandalimin e veprimtarisë kriminale ndaj personit dhe pronës në territorin e Qarkut dhe më gjerë.

Katër të rinjve të proceduar u janë gjetur në automjet armë zjarri brezi, krahu dhe armë gjahu të cilat i mbanin pa leje.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 01:05, policia ka vënë në pranga shtetasin Dritan Çenja, 24 vjeç, banues në Mamurras.
Sipas policisë, arrestimi i këtij shtetasi u bë për arsye se më datë 18.06.2013, rreth orës 22:00, gjatë kontrollit që punonjësit e Repartit RENEA kanë ushtruar në një lokal në fshatin Thumanë Krujë, i është gjetur në brez një pistoletë model 54, kalibri 7.62 mm si dhe 7 copë fishekë model 7.62 mm.

Gjithashtu policia e Krujës këtë mëngjes rreth orës 00:35 ka arrestuar në flagrancë shtetasin Taulant Zira, 26 vjeç, banues në Thumanë Krujë.Arrestimi i tij u krye pasi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, gjatë kontrollit që shërbimet RENEA kanë ushtruar në një lokal në fshatin Thumanë  Krujë, këtij shtetasi i është gjetur në brez një pistoletë model 54, kalibër 7.62 mm, si dhe 7 copë fishekë model 7.62 mm.

Rreth orës 01:05 të mëngjesit të sotëm policia e Krujës ka vënë në pranga shtetasin Klaimend Gjini, 21 vjeç, banues në Derven Krujë, aktualisht student i Fakultetit Shkenca Politike.
Sipas deklaratës për shtyp të policisë, këtij shtetasi, rreth orës 22:00, gjatë kontrollit që shërbimet RENEA ushtruan në një lokal në fshatin Derven, në furgonin me targa TR 7038 D në pronësi të tij, i parkuar  në parkingun e këtij lokali, iu gjet një armë zjarri, automatik model 56, kalibri 7.62 mm, si dhe një krehër me 30 copë fishekë të të njëjtit kalibër.

Gjatë këtij operacioni që forcat e policisë kanë ndërmarrë, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për mbajtje pa leje të një arme gjahu edhe pronari i lokalit në të cilin u kapën dy nga shtetasit e mësipërm, 45-vjecari B.F., banor i Thumanës.

Sipas deklaratës për shtyp, materialet e para hetimore lidhur me 4 rastet në fjalë iu përcollën për hetime të metejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të gjahut”.

Ky aksion u ndërmorr nga ana e policisë në funksion të ruajtjes së sigurisë publike.

Sipas deklaratës për shtyp kontrolle të tilla do të vijojnë edhe më tej në territorin kompetencë e këtij Komisariati Policie.

/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/