DURRËS, 7 dhjetor 2014 – Nuk gjen karar zona e Krujës nga tritoli, pasi në harkun e 9 ditëve, nga 29 nëntori 2014 më 7 dhjetor 2014, në të njëjtin vend, vendoset lënda shpërthyese në shtyllë tensioni të lartë.
Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë njofton se më 7 dhjetor 2014, në orët e para të mëngjesit, në vendin e quajtur Kodra e Zograçes, në afërsi të rezervuarit në fshatin Halil të Krujës, në shtyllën e tensionit të lartë të linjës furnizuese me energji elektrike, është gjetur e vendosur e pashpërthyer, rreth 2 kg tritol, në lartësinë 3 metra nga sipërfaqja e tokës. Kjo sasi eksplozivi u gjet e ndarë në dy pjesë, e vendosur në dy nga këmbët e shtyllës.
Forcat ligjzbatuese nga Durrësi dhe Kruja ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e para hetimore, si dhe po punohet për identifikimin e autorëve dhe zbulimin e rrethanave, që çojnë në zbardhjen e saj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





