19 gusht 2015 –  Portali informativ “durreslajm.com” ka mësuar se rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar në mesnatën e 18-19 gushtit 2015 lëkundje tërmeti në zonën malore të Krujës. Departamenti i sizmologjisë së Institutit publik të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit thotë se të mërkurën, më 19 gusht 2015 ora 1:59:31 (ora e Shqipërisë) ka ndodhur një tërmet i lehtë me magnitudë 2,6 dhe epiqendër në thellësinë 2 km. Dukuria tektonike është identifikuar në fshatin Brret,në distancë ajrore 4 km në veri të qytetit të Krujës (koordinatat 41.55°V, 19.78°L, shih pikën e kuqe).

Portali u informua nga banorë-punonjës të fabrikës së çimentos “Antea” në Bokën e Kuqe të Krujës se kanë ndier disa lëkundje të lehta. Kjo fabrikë është 2 km në perëndim të tërmetit. Ky i fundit ndodhi në një shpat malor, në lartësinë 850 metra mbi nivelin e detit, midis Brretit dhe Mafsheqit. Zona ka një popullsi të rrallë dhe terreni është i qëndrueshëm. Kjo është arsyeja pse nuk ka raportime zyrtare për viktima apo dëme materiale.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/