Një numër banorësh të Lagjes 4, në Krujë, kanë përfunduar në spital, me shqetësime të shkaktuara nga uji i pijshëm i ndotur me fekale. Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik, në Krujë, ka konfirmuar se burimi i infeksionit është pikërisht uji i pijshëm, që ka rezultuar i ndotur me bakterin Escheria coli.
Uji është ndotur për shkak të çarjes së tubacioneve dhe përzierjes me fekalet, duke sjellë si rezultat infektimin me bakterin Escherichia coli.
Që katër ditë më parë, katër qytetarë i ishin drejtuar spitalit nga shqetësimet që kishin. Numri i tyre është rritur dhe, aktualisht, numri i atyre që kanë shfaqur shqetësime ka mbërritur në afro 20. Fakti se ata kishin të njëjtat shqetësime dhe fakti se ishin banorë të së njëjtës lagje bënë që autoritetet të dyshonin, duke ndërmarrë edhe analizat e ujit të pijshëm. Ai ka rezultuar i ndotur.
Furnizimi me ujë të pijshëm i Lagjes 4, në Krujë, është pezulluar, për të ndërruar rrjetin e dëmtuar dhe dezinfektuar pjesën tjetër të rrjetit shpërndarës.





