21 korrik 2015 – Kurora e pyjeve në Krastë të Krujës është përfshirë nga flakët e zjarrit rreth orës 11,30-12,00 të mesditës së 21 korrikut 2015. Sipas drejtorisë së policisë së shtetit për qarkun, po digjen disa pisha në afërsi të gurores.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike mjetet zjarrfikëse të Krujës, Durrësit, portit të Durrësit po hasin vështirësi në shuarjen e zjarrit. Pak minuta pas përhapjes së vatrës së zjarrit janë dëgjuar disa shpërthime, që mendohet se janë të predhave luftarake të mbetura në pyll ndër vite. Zjarrfikëset kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur punën për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa jeta e punonjësve ka qenë e rrezikuar nga shpërthimet. Pranë vatrës së zjarrit nuk ka banesa, ndërsa puna e zjarrfikësve është përqendruar për pengimin e flakëve drejt depos ushtarake.

Burime zyrtare nga institucioni i prefektit të Durrës-Krujës i thanë “Dyrrah”-ut se nga ana e ndërmarrjes pyjore po punohet për vënien nën kontroll të flakëve në 30 hektarë dhe po ndërtohen prita.

Terreni i thyer malor dhe era kanë favorizuar përhapjen e zjarrit, ndërsa puna është përqendruar për neutralizimin e flakëve dhe zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/