FIER – Në një takim me të zgjedhurit vendorë socialistë, në qytetin e Fierit, kryetari i PS, Edi Rama është shprehur se tashmë është shumë e qartë, se me këtë qeverisje ka vetëm rrënim në të gjitha aspektet. “Bazuar mbi këtë model qeverisës, siç po rrënohet ekonomia, siç po rrënohen familjet në nevojë dhe po shtohet numri i familjeve të varfra, siç po rrënohet sipërmarrja e madhe apo e vogël siç po rrënohen shërbimet publike, shëndetësi, arsim, ashtu po rrënohet edhe buxheti i njësive vendore”,- është shprehur lideri i opozitës.

Gjatë takimit Rama tha se PS në programin e saj është angazhuar për një model të ri ekonomik që do të sjellë një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

“Sot një vit ne do jemi duke përgatitur e projektuar buxhetin tonë të parë. Sigurisht ne do ta rimodelojmë rrugën e daljes nga kriza dhe do të dalim shumë më shpejt nga ky rreth vicioz ku s’kemi asnjë shans të dalim me këtë qeveri, me këtë rrugë”,- është shprehur kryesocialisti.

Ndërkohë kryetarët e bashkive kryesore Durrës, Elbasan, Korçë e Vlorë në një zë janë shprehur për paralizim të punës së tyre nga qeverisja qendrore.

Vangjush Dako, kryebashkiaku i Durrësit tha gjatë fjalës së tij se buxheti i hartuar nga qeveria e që u miratua sot në parlament është rrënues për bashkitë dhe komunat e vendit.

“Ky buxhet është rrënues ndaj bashkive dhe komunave. Është një buxhet, i cili i ka hapur një rrugë me transfertë e pakushtëzuar, një fenomeni shumë të rrezikshëm. Bashkia e Durrësit akoma nuk e ka marrë ndërmarrjen e ujësjellës- kanalizimeve dhe penalizohet nga kjo qeveri vetëm me arsyetimin, sepse i ka borxh kompanisë CEZ”,- tha Dako.