Kryebashkiakja e Durrësit ka inspektuar nga afër ditën e hënë, disa nga pallatet, të cilat do të shemben në njësinë administrative të Manzës, për t’i hapur rrugë procesit të rindërtimit në këtë zonë. Në mbledhjen e ditës së enjte të javës së kaluar, Këshilli Bashkiak miratoi shembjen e 9 pallateve në këtë njësi administrative, pasi akt-ekspertizat e Institutit të Ndërtimit përcaktonin shembjen e tyre.
Në një postim në faqen zyrtare të bashkisë Durrës në rrjete sociale theksohet se kryebashkiakja Emiriana Sako është takuar me banorët e kësaj zone për t’i informuar për procesin e rindërtimit dhe njëkohësisht ka premtuar se shumë shpejt do të nisë puna për rindërtimin banesave individuale.
“Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka zhvilluar takime me banorët e Manzës të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit dhe i ka informuar lidhur me operacionin e rindërtimit në këtë zonë.
E shoqëruar nga kreu i njësisë administrative Muharrem Sula ka inspektuar disa prej pallateve që do të prishen në këtë zonë.
Në njësinë administrative të Manzës do të shemben 9 pallate sipas ekspertizës së thelluar të Institutit të Ndërtimit ndërkohë që shumë shpejt do të nisë puna për rindërtimin e banesave individuale”,– shkruhet në postimin e bashkisë.





