Vazhdon nënshkrimi i kontratave me qytetarët që përfitojnë grantin për rikonstruksion.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, ka inspektuar sot nga afër procesin nëpër njësitë administrative.
Sot janë lëvruar pagesat e para për qytetarët përfitues të grantit, ndërsa Bashkia i fton të gjithë qytetarët përfitues të paraqiten pa humbur kohë nëpër njësitë administrative për firmosjen e kontratës.
Të gjithë njësitë administrative të Bashkisë së Durrësit do të jenë të hapura deri në orët e mbrëmjes në mënyrë që qytetarët të paraqiten në këto zyra në oraret më të përshtatshme për ta.
Aktualisht po firmosen kontratat vetëm me personat, dëmet në banesat e të cilëve janë klasifikuar DS1 dhe DS2. Kjo për shkak se shumë ndërtesa DS3, Instituti i Ndërtimit i ka klasifikuar DS4 dhe në momentin që ky institucion kalon shkallën e dëmtimit nuk mund të kalohen paratë për qytetarët. Procesi i firmosjes së kontratave mes bashkisë dhe qytetarëve me dëme DS3 do të fillojë pas përgjigjeve përfundimtare të Institutit të Ndërtimit.





