Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, që shoqëronte kryeministrin Edi Rama gjatë inspektimit të punimeve në shkollën 9-vjeçare “Njazi Mastori” në Sukth, deklaroi se brenda javës bashkia pritet t’i dërgojë qeverisë kërkesën për grantin e rikonstruksionit të banesave të qytetarëve me dëmtime DS1, DS2 dhe DS3 dhe për ambientet e përbashkëta.
“Kësaj jave do të bëjmë kërkesën. Jemi duke bërë verifikimet e fundit me Hipotekën. Mund ta uli pak numrin Hipoteka, sepse dy apo tre pronësia automatikisht e ul numrin, por themi që brenda javës do të sjellim kërkesën për grantin e rikonstruksionit dhe për ambientet e përbashkëta”,– tha kryebashkiakja Sako.
“Super, super”,– tha kryeministri Rama, pas fjalës së kryebashkiakes në detyrë të Durrësit.
Ndërkohë, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj deklaroi se rreth 24 deri në 26 milionë dollarë do të shkojnë për qytetarët e Durrësit, për procesin e Rindërtimit për dëmtimet e nivelit DS1, DS2 dhe DS3.





