Kryetarja e bashkisë Emiriana Sako ka nderuar sot me titullin “Mirënjohja e qytetit”, aktivisten për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave të Durrësit dhe jo vetëm, Bajana Çeveli.

Pas një përkushtimi shumë vjeçar në ndihmë të grave dhe vajzave në nevojë, grupeve të margjinalizuara dhe njëkohësisht pas një pune të madhe bërë për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, aktivistja Çeveli është nderuar ditën e sotme, gjatë një ceremonie të veçantë të organizuar në bashki.

Në motivacionin që shoqëronte titullin e rëndësishëm shkruhej:

“MIRËNJOHJA E QYTETIT

I jepet:

Znj. Bajana Çeveli

Në shenjë vlerësimi për përkushtimin e saj shumëvjeçar në mbrojtjen e të drejtave të grave e vajzave në qytetin e Durresit, por edhe në  nivel rajonal e kombëtar; në promovimin e potencialit të gruas shqiptare në të gjitha dimensionet përmes shërbimeve dhe përfshirjes në hartimin e politikave sociale për to; në ndihmën e ofruar ndaj grupeve të margjinalizuara si dhe kontributin e dhënë për  nxjerrjen nga cikli i dhunës, paqen, sigurinë  dhe fuqizimin e lëvizjes së gruas”.

Ishte vetë kryebashkiakja Sako që ia dorëzoi titullin e rëndësishëm, ndërsa theksoi se është mjaft i rëndësishëm fuqizimi i rolit të gruas në shoqërinë tonë dhe njëkohësisht mbetet ende punë përpara për të bërë për të frenuar dhe parandaluar fenomenin e dhunës në familje, që vazhdon të shkaktojë viktima të pafajshme.

Për shumë vite me radhë, Çeveli ka drejtuar Shoqatën e Grave me Probleme Sociale, Durrës (SHGPS), e cila sot njihet me emrin Shoqata Gender, Paqe dhe Siguri.

Misioni i Çevelit nisi në vitin 1999, në kohën e luftës së Kosovës, por ai mbetet i njëjtë edhe sot; në mbrojtje të të drejtave të grave dhe vajzave.

Bajana Çeveli, zëri kumbues i një gruaje në shoqërinë maskiliste shqiptare

Në një shoqëri që renditet e para në Evropë për numrin e vrasjeve nga partnerët intimë, Bajana ka 27 vjet që  ka zgjidhur të  jetë  zëri i atyre që  dhunohen dhe vriten çdo ditë.

Misioni i saj për të ndihmuar grupet vulnerabël, gratë dhe fëmijët filloi në vitin 1999 në kohë të vështira për Ballkanin. Gratë nga Kosova të cilat i ishin nënshtruar dhunës çnjerëzore, vrasjeve dhe dhunimit të fëmijëve të tyre, gjetën mbështetje në dyert e motrave të tyre shqiptare, njëra prej të cilave ishte Bajana. Kjo ishte pikënisja në rrugën e vështirë të sfidimit të mentalitetit patriarkal dhe ndryshimit të stereotipeve gjinore, jo vetëm në qytetin e Durrësit por në mbarë Shqipërinë.

Në fakt, dhuna në familje ka rrënjë shumë më të thella në shoqërinë shqiptare, madje duke u shfajësuar në Kanunin e Lek Dukagjinit, duke i dhënë të drejtën burrit të “dënojë” gruan që konsiderohej pronë e tij.

Me këtë mision Bajana, së bashku me gra dhe vajza të tjera, vendosën të themelojnë Shoqatën e Grave me Probleme Sociale, Durrës (SHGPS), e quajtur sot Shoqata Gender, Paqe dhe Siguri. Projektet e para nisën në vitin 2000 me ngritjen e qendrave për grupe të veçanta të shoqërisë, fillimisht Qendra e Grave dhe Vajzave, Qendra Rinore, Qendra Ditore e të Moshuarve Durrës. Qëllimi i zhvillimit të tyre ishte zhvillimi i grupeve rinore në Durrës, ofrimi i shërbimeve të kujdesit ditor për të moshuarit si dhe ofrimi i mbështetjes psikologjike dhe ligjore për viktimat e dhunës në familje.

Që nga fillimet e saj e deri më sot, pas afro dy dekadash qëllimi i saj mbetet i njëjtë. Në vitet 2000 gratë dhe vajzat në Shqipëri ishin në mëshirë të fatit. Burrat, baballarët dhe bashkëshortët ishin ata që ishin përgjegjës për fatin e vajzave dhe grave të tyre, ishin ata që vendosnin se kur të martohej vajza, me kë të martohej, të vazhdonte apo jo studimet, nëse do të lejohej të punonte jashtë mureve të shtëpisë. Të gjitha këtyre zgjedhjeve të bëra në emër të tyre duhet t’i shtohej edhe dhuna.

Legjislacioni shqiptar kishte mangësi në mbrojtjen dhe garantimin e barazisë gjinore midis burrave dhe grave. Parashikimi i para ligjor ishte  parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ndërkohë që vite më parë, që nga viti 1992, shteti shqiptar ka ratifikuar një sërë Konventash Ndërkombëtare që e detyronin të merrte masa konkrete për respektimin e të drejtave të grave dhe shmangien e diskriminimit pë r shkak të  gjinisë .

Megjithatë, hapi i parë konkret ishte miratimi i Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje (SKBGJ-DHF) 2007-2010 dhe miratimi i ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për Masat Kundër Dhunës në Familje”. Miratimi i këtij ligji ishte sfidë për Bajanën, e cila mbante postin e Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatë s. Kishte nevojë për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit për dispozitat ligjore, mbi garantimin e  të drejtave të  grave,  si dhe ku  duhet të kërkojnë mbrojtje. Tashmë në Durrës, krahas ndryshimeve socio-ekonomike dhe migrimit të brendshëm, ka pasur një rritje të popullsisë, e shoqë ruar me  kultura dhe mendësi të ndryshme. Këto fushata u përhapën në të gjithë zonën rurale, në pjesë të ndryshme të komunitetit, duke kërkuar ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave për faktin se dhuna në familje nuk duhet toleruar si dhe duke kërkuar nga burrat dhe djemtë që të reflektojnë për faktin se dhuna e ushtruar prej tyre nuk i shërben krijimit dhe mbajtjes së familjes, por sjell shkatërrimin e shoqërisë.

Të dhënat e para statistikore për dhunën në familje pas miratimit të ligjit dolën në vitin 2007, nga publikimi i INSTAT, në raportin “Anketa Kombëtare e Popullsisë mbi Dhunën në Familje”. Sipas këtij raporti në vitin 2007 të paktën 56.0% e grave dhe vajzave të moshës 15-49 vjeç kishin përjetuar dhunë në martesën/marrëdhënien e tyre intime. Ndërkohë, pas afro 10 vitesh të dhëna të publikuara nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogën (UNODC), në një raport të fundit Shqipëria kishte shkallën më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100,000 gra, sipas të dhënave që i referohen 2016. Ky është niveli më i lartë në Evropë.

Ky nuk është bilanci i viktimave të një konflikti të armatosur, por bilanci i një lufte të njëanshme gjinore, burra dhe djem që vrasin motrat, nënat, vajzat, të dashurat dhe gratë e tyre.

Në rrethana të tilla, Bajana kuptoi se tani, thjesht luftimi i dhunës në familje me ndërgjegjësim e mbrojtje, kur në fakt shkalla e vrasjeve është më e lartë, kërkon një nivel tjetër përfshirjeje. Kjo ka qenë edhe arsyeja e lobimit për zbatimin e Rezolutës 1325 të OKB-së. Rezoluta aktuale, megjithëse e miratuar më 31 tetor 2000 nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kishte mbetur e pazbatuar si pasojë e mosgatishmërisë dhe mungesës së njohurive të aktorëve politikë shqiptarë.

Në këtë kuadër, në vitin 2016 filloi për herë të parë një Program për Paqen dhe Sigurinë e Grave, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të grave, paqes dhe sigurisë në Shqipëri me zbatimin e legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synonte:

1) të forconte dhe të angazhonte aktivisht aktorët kryesorë të grave në nivel vendi për të ndikuar në zbatimin e legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar për të drejtat e grave, veçanërisht ato që lidhen me Rezolutën 1325;

2) fuqizimi i institucioneve qeveritare në zbatimin e Rezolutës 1325 në kontekstin shqiptar. Programi mbështeti drejtpërdrejt punën për avancimin/ çuarjen përpara të axhendës së GPS në Shqipëri, duke u fokusuar në forcimin e rolit të shoqërisë civile si strukturë mbështetëse dhe llogaridhënëse për GPS në Shqipëri. Në kuadër të këtij programi, miratohet nga qeveria shqiptare Plani i parë Kombëtar i Veprimit (PKV) për zbatimin e Rezolutës 1325 “Për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, 2018–2020, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 524, datë 11.9.2018, ku pasqyrohet angazhimi i ministrive të linjës, përfshirë MSHMS, MPB, MM dhe MPJ. Koalicioni “Gratë, Siguria dhe Paqja (KGPS) u krijua nga një grup OSHC-sh nga e gjithë Shqipëria me qëllim promovimin e punës për çështjet e grave, paqen dhe sigurinë në Shqipëri, ka qenë një pjesë thelbësore e përpjekjeve kombëtare që plotëson mekanizmat qeveritarë në nivel qendror dhe lokal si relevant për Axhendën Kombëtare të Grave, Paqes dhe Sigurisë.

Pas gati gjashtë vitesh pune veçanërisht në çështjet që lidhen me Gruan, Paqen e Sigurinë, Bajana konsiderohet  nga autoritetet shtetërore dhe joshtetërore si një aktor aktiv që kontribuon në avancimin e agjendës së GPS në nivel vendi. Bajana njihet veçanërisht si një mbrojtëse e të drejtave të grave që ka kontribuar në forcimin dhe angazhimin aktiv të organizatave të shoqërisë civile të grave për të ndikuar në zbatimin e legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar për të drejtat e grave, veçanërisht ato që lidhen me Rezolutën 1325, duke siguruar që përfaqësuesit e shoqërisë civile janë të informuar dhe të  kenë  rritur kapacitetet e tyre në lidhje me parimet e Rezolutës 1325, demokracinë dhe të drejtat e grave nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve, si dhe angazhimin e tyre në kuadrin e Rezolutës 1325 në nivel vendi.

Gjatë gjithë zbatimit të Programit, Bajana luajti një rol kyç në realizimin e ndryshimeve dhe angazhimeve për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS) në nivel vendi. Ajo vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në zbatimin e synimeve të Axhendës Ë PS, si dhe në krijimin e një mjedisi që lehtëson më mirë pjesëmarrjen e grupeve të grave në vendimmarrjen për paqen dhe sigurinë. Rezultati i punës dhe këmbënguljes së saj ishte krijimi i një shoqërie ku gratë kanë një rol më të fortë dhe janë pjesëmarrëse aktive në ruajtjen e paqes, parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve.

Rëndësia e hartimit të Planit Kombëtar të Veprimit të Gruas, Paqe e Sigurisë qëndron në angazhimin e institucioneve kryesore politikëbërëse qendrore të vendit që veprojnë në fushën e sigurisë dhe ruajtjes së paqes, çështjet gjinore dhe adresimin e angazhimeve ndërkombëtare të vendit.

Bajana ka qenë dhe vazhdon të jetë zëri dhe imazhi i gjithë atyre grave që sot nuk janë më në mes të dhunës, i atyre grave që  nuk i nënshtrohen në heshtje dhunës, i atyre që kërkojnë të krijojnë familje të shëndetshme. Ajo është frymëzimi dhe mbështetja e çdo vajze dhe gruaje që do të thyejë ciklin e dhunës dhe që kërkon të ndryshojë mënyrën e të menduarit, duke vendosur vetë për jetën e saj. dhe kërkon të vendosë vetë. Është forca dhe  mbështetja, shpeshherë e munguar nga nëna, babai dhe familja.

Bajana është emri i një femre heroike, e cila pa qenë nevoja të jetë në qendër të vëmendjes, punon në heshtje për një grua të pavarur, për një shoqëri të lirë dhe të paqtë.