Kryetari i PD-së për degën e Durrësit Joni Myshketa, ka bërë denoncimin e radhës në lidhje me situatën e plehrave në një nga zonat më të populluara në zonën e Unazës së Plazhit.

Myshketa teksa shpërndan këto foto që i janë dërguar nga qytetarët, shkruan se pamjet dëshmojnë qartë situatën katastrofike të ndotjes ambientale.

Ky nuk është dhe nuk mund të jetë kurrësesi Durrësi që duam. Ky nuk është Durrësi që kjo mazhorancë e korruptuar kërkon të na e shesë si histori suksesi“, shkruan Myshketa.

Neglizhenca, Makutëria, Arroganca, Abuzimi janë fryt i kësaj gjendje mjerane të zonës ku kalojnë përditë qindra banorë, të moshuar, fëmijë duke rrezikuar shëndetin, nga burimet e shumta te infeksionit për shkak të përhapjes së ndonjë pandemie. Në rast shiu i gjithë ai pirg mbetjesh përfundon në mes të rrugëve buzë të detit si denoncimi i javës që shkoi”, thekson ai teksa i bën thirrje Bashkisë të marrë masa të menjëhershme në lidhje me pastrimin e zonës.

“I bëj thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të nxjerrin para përgjegjësisë ligjore të gjithë shkaktarët e kësaj gjendjeje pasi është përgjegjësi penale një dëm i tillë.

I bëj thirrje të gjithë qytetarëve durrsakë të na adresojnë çdo problematikë që rëndon mbi ta si rasti në fjalë për shkak të abuzimit me postin publik.

Ju garantoj se Partia Demokratike është dhe mbetet përherë në krah të çdo qytetari të ndershëm pa asnjë dallim ngjyrimi politik, duke denoncuar e duke u bërë pjesë e zgjidhjeve të situatave që rëndojnë mbi jetën e secilit prej nesh. Vetëm në aleancë të përbashkët do ja dalim”, përfundon reagimin e tij në “Facebook” Joni Myshketa.