Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ka inspektuar ditën e sotme disa nga investimet e përmbyllura dhe ato që janë në proces në njësinë administrative Sukth.

Në një postim në rrjete sociale, ajo rendit disa prej projekteve të realizuara në infrastrukturën rrugore si dhe rrjetin e ujit të pijshëm dhe rindërtimin e banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti.

Postimi i plotë:

Në kantierin e punëve në njësinë administrative të Sukthit.

Kemi përfunduar rikonstruksionin e tre rrugëve të rëndësishme që lehtësojnë ndjeshëm qarkullimin dhe i shërbejnë 31 mijë banorëve të kësaj njësie por edhe pushuesve që frekuentojnë zonën e bregdetit.

Menjëherë pas përfundimit të investimeve me fondet e qeverisë shqiptare të OSHEE dhe Ujësjellës Kanalizime Durrës që kanë bërë të mundur furnizimin e kësaj zone me 24 orë ujë dhe energji elektrike, përmbyllëm punën me rikonstruksionin e infrastrukturës rrugore me fondet e Bashkisë së Durrësit.

Takova dhe bashkëbisedova edhe me banorët kërkesa kryesore e të cilëve ishte pikërisht rikonstruksioni i këtyre akseve. Janë rehabilituar dhe asfaltuar rrugët “Perlat” 1 kilometër e gjatë, “Agimi Dajti” 900 metra dhe “Drini Fierza” 400 metra.

Krahas investimeve vijon me ritme të shpejta edhe puna për rindërtimin. I dorëzuam çelësin e shtëpisë së re familjes Kuçaj që tashmë do të jetojë në një shtëpi shumë më të sigurtë e më të bukur se më parë. Janë 162 banesa individuale të reja që kanë përfunduar deri tani në të gjithë bashkinë e Durrësit dhe puna vazhdon me shpejtësi në shtëpitë e tjera.