Kryebashkiakja në detyrë e Durrësit, Emiriana Sako jep lajmin e mirë për banorët e disa prej pallateve të shembura prej tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Ndërsa publikon vendimin e qeverisë, të marrë në datë 30 qershor, kryetarja e bashkisë bën të ditur se do të rindërtohen në të njëjtin vend disa nga pallatet me numrin më të madh të familjeve si pallati Kastrati, pallatet Lura dhe pallatet Ahmet Dakli në lagjen 17, pallati 458 në Shkozet, etj.
“Pas rindërtimit qindra familje të këtyre godinave do të hyjnë në shtëpi të reja shumë më të bukura e më të sigurta se ato që kanë patur, të ndërtuara me standarte bashkëkohore.” – shkruan Sako.
Postimin e saj, kryebashkiakja e shoqëron edhe me foto nga projektet e pallateve që do të rindërtohen.
Postimi i Sakos:
Një vendim të rëndësishëm ka marrë qeveria shqiptare duke ju përgjigjur kërkesës së qytetarëve të Durrësit për rindërtimin e disa pallateve të dëmtuar në mënyrë të pariparueshme nga tërmeti në të njëjtin vend.
Në bazë të këtij vendimi godinat që do të rindërtohen në të njëjtin vend janë ato që kanë një numër të madh banorësh si pallati Kastrati, pallatet Lura dhe pallatet Ahmet Dakli në lagjen 17, pallati 458 në Shkozet, etj.
Pas rindërtimit qindra familje të këtyre godinave do të hyjnë në shtëpi të reja shumë më të bukura e më të sigurta se ato që kanë patur, të ndërtuara me standarte bashkëkohore.
Vendimi i qeverisë:
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.587, DATË 22.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), TË DËMTUARA, NË ZONAT E SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, 18, pika 2, shkronja “c”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.587, datë 22.7.2020 , të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i vendimit ndryshon dhe bëhet “Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall”.
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1.Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 18 441 909 064 (tetëmbëdhjetë miliardë e katërqind e dyzet e një milionë e nëntëqind e nëntë mijë e gjashtëdhjetë e katër) lekë pa TVSH, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për rindërtimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall, në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.
3. Në pikën 2, fjalët “… në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar …”, zëvendësohen me “…në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall …”.
4. Pikat 2.1 dhe 3.1 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2.1 Përdorimin e fondit, miratuar në buxhetin e vitit 2021, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në masën 666 179 207 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e shtatë) lekë pa TVSH, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall, në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.
3.1 Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi“, i shtohet fondi prej 666 179 207 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e shtatë) lekë pa TVSH, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e reja për zhvillim dhe rindërtim në të njëjtin truall, në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.
Efekti financiar sipas kësaj pike të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë.”.
5. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.





