Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako deklaroi se do të vazhdojmë me të tjera investime për lagjet 12 dhe 16, duke i përmirësuar akoma më shumë ato nga pikëpamja e infrastrukturës duke rehabillituar kuartallet dhe fasadat. Në takimin e zhvilluar me banorë të këtyre dy lagjeve, kryebashkiakja Sako shoqërohej nga drejtuesi politik i qarkut Adrian Çela si dhe deputetja Klodiana Spahiu.

Sako shtoi se: “Jemi krenarë që ndodhemi në këtë lagje ku kemi ndërtuar një shkollë model, siç është shkolla “Qemal Mici”, në të cilën mësojnë afro 1000 nxënës në kushte bashkëkohore. Gjithashtu, për këtë vit kemi planifikuar, me fonde të buxhetit të bashkisë, ndriçimin LED të 13 rrugëve dhe rikonstruksionin e fasadave dhe veshjen me polisterol të tyre për të ulur konsumin e energjisë që harxhon çdo familje”.

Në këto dy lagje bashkia ka menduar që të realizojë edhe rikualifikimin e kuartalleve që gjenden në blloqet midis pallateve si dhe gjelbërimin e tyre.

Kryebashkiakja Sako theksoi edhe një herë se angazhimi i saj është vetëm me qytetarët dhe se bashkia do të jetë një derë e hapur për ta, pavarësisht bindjeve, për ta transformuar Durrësin ashtu siç ata e meritojnë.

Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste Klodiana Spahiu në fjalën e saj, tha se është bërë shumë punë në dy vitet e fundit, ishte tërmeti, pastaj pandemia dhe Durrësi u godit mjaft rëndë. Spahiu shtoi se, pavarësisht vështirësive dhe problematikave të shumta, në sajë të punës së kryebashkiakes Sako dhe ndihmës së madhe të qeverisë dhe kryeministrit Rama, Durrësi ia doli dhe tashmë me investimet madhore që po kryhen, këtyre dy lagjeve dhe gjithë qytetit do t’i shtohen më shumë vlera turistike dhe ekonomike.