Në ditën botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako me ministren Milva Ekonomi dhe deputeten Klodiana Spahiu vizituan Shkollën Speciale të Fëmijëve me Aftësi Ndryshe ku iu kanë shpërndarë edhe disa dhurata fëmijëve.

Ato morën pjesë në aktivitetin e zhvilluar në prani të përfaqësuesve të institucioneve rajonale, stafit të shkollës, prindërve dhe vetë fëmijëve.

Sako thotë se zgjodhën këtë shkollë për t’u shprehur këtyre fëmijëve ngrohtësinë njerëzore dhe për t’i komunikuar atyre mesazhin se do të kenë gjithmonë një përkujdesje të veçantë nga ana e Bashkisë në mënyrë që të integrohen plotësisht në jetën shoqërore të qytetit.

“Të gjithë bashkë duhet të rritim ndergjegjësimin në lidhje me personat me aftësi ndryshe dhe tu japim mbështetje e dashuri në çdo moment që kanë nevojë.

Bashkia e Durrësit ka një sërë programesh sociale që i zbaton në ndihmë të shtresave në nevojë dhe një kujdes i veçantë u kushtohet pikërisht këtyre fëmijëve me aftësi të veçanta, ku përveç kësaj shkolle kemi edhe një qendër të posaçme që ofron jo vetëm shërbime për fëmijët, sipas nevojave që ata kanë, por është një derë e hapur për të gjithë familjen, për shërbime dhe informim.

Kujdesi ndaj këtyre fëmijëve ka qenë dhe është i vazhdueshëm, duke i inkuadruar ata në programe të posaçme sociale për ti krijuar sa më shumë ngrohtësi e përkujdesje dhe në planet tona është shtimi i shërbimeve për personat me aftësi ndryshe dhe rritja e numrit të përfituesve”, shkruan Sako.