Kryetarja e bashkisë së Durrësit dhe njëkohësisht kandidate e PS Emiriana Sako e shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut Adrian Çela, sekretari organizativ i PS-së Blendi Klosi dhe deputetja Klodiana Spahiu ka zhvilluar një takim me banorët e lagjeve 7, 9 dhe 10, të cilat janë pjesë e rajonit nr 2. Kryebashkiakja Sako duke folur para banorëve të kësaj zone,iu kërkoi atyre që të votojnë Partinë Socialiste më 6 mars, pasi nën drejtimin e saj bashkia do të jetë vazhdimisht në shërbim të qytetarëve.

“Që kur kam marrë drejtimin e bashkisë jam munduar që t’ju shërbej të gjithë qytetarëve njëlloj, pa dallim, pa parë se cilës partie i përkasin. Motoja e punës time janë vetëm qytetarët dhe shërbimi ndaj tyre. Ne kemi planifikuar në këto lagje ndërtimin e dy unazave të cilat pritet të ulin ndjeshëm problemin e trafikut të automjeteve. Unaza e parë është në aksin Spitallë – Currila, e cila mundëson lidhjen e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga” nëpërmjet rrugës “Pjeter Bogdani” dhe ka gjatësi 2.8 km.

Unaza e dytë është aksi nga Spitali i qytetit në Currila. Lidhja e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga” nëpërmjet rrugës “Isuf Ferra” dhe më pas me rrugët Vojsava, Prokop Meksi, Abdulla Teku (Sul Demiri)”. Kjo rrugë ka gjatësi 2.5 km”.

Deputeti Blendi Klosi është shprehur i sigurt në fitoren e Emirana Sakos në zgjedhjet e së dielës. Klosi tha më tej duke folur për projektet e rëndësishme se Durrësi konkuron për të qenë një nga portet më të bukur në Mesdhe dhe ky port kërkon punësimin e shumë të rinjve dhe specialistëve.

Në rajonin nr.2 bashkia e Durrësit ka parashikuar gjatë këtij viti rikonstruksionin e rrugës “Aleksandër Goga”, rikualifikim fasadash, kënde lojrash, rehabilitime kuartallesh si dhe ndricimin e disa rrugëve.